Loading...

Leksion nga Dr. Elena Kocaqi – Kryengritja e Malësisë së Madhe nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit dhe roli i saj në Pavarësinë e Shqipërisë

Më datën 25 gusht 2026, në QKI “Malësia”, me fillim në orën 20, u mbajt një ligjeratë nga Dr. Elena Kocaqi, me profesion juriste dhe historiane, ku foli mbi Kryengritjen e Malësisë, figurën e Dedë Gjon Lulit dhe ndikimin që pati në Pavarësinë e Shqipërisë.

Moderator i mbrëmjes ishte Dr. Nail Draga nga Ulqini i cili në mënyrën më dinjitoze e udhëheqi këtë mbrëmje.
Organizator i kësaj mbrëmje ishte Instituti Shqiptaro – Amerikan, ku hapjen zyrtare të leksionit e bëri koordinatori i kësaj organizate z. Kolë Ivanaj.
Kolë Ivanaj përshëndeti tubimin, falenderoj pjesëmarrësit dhe tregoi që planet dhe projektet e Institutit do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Zonja Kocaqi ndër të tjera, falenderoj organizatorët dhe për të ishte hera e parë që vizitoi Malësinë. Ajo, Kryengritjen e Malësisë e konsideroi si shumë pozitive për Pavarësinë e Shqipërisë. Tregoi mbi dokumentat austriake që kanë shkruar për Kryengritjen. Gjithashtu, tregoi që figura e Dedë Gjon Lulit, është ndër figurat më të pastërta kombëtare që nga periudha e Gjergj Kastriotit.

Instituti Shqiptaro – Amerikan falenderon të gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në këtë takim.
Më poshtë po paraqesim fjalimin e koordinatorit z. Kolë Ivanaj:

Të nderuar zonja e zotërinj, e dashur Profesor doktor Elena Kocaqi, i nderuar doktor Nail Draga, të dashur mërgimtarë, e dashur Malësi, në emër të Institutit Shqiptaro Amerikan me seli në SHBA dhe në emrin tim personal, në cilësin e kordinatorit të kësaj organizate, ju uroj mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhë në këtë aktivitet të rëndësishëm kulturorë, ku do të mbahet leksion nga Profesoresha e nderuar zonja Kocaqi mbi Kryengritjen e Malësisë në krye me Dedë Gjon Lulin dhe rolin e saj në Pavarësinë e Shqipërisë.
Profesoreshë mirë se ke ardhë në Malësi, në vendin e shqiponjave, në vendin që edhe pse ka mbetë jasht kufirit administrativ të Shqipërisë, me fanatizëm e ka ruajt identitetin kombëtar. Faleminderit shumë.

Pas ligjeratës, jeni të ftuar të bëni disa pyetje ligjeruesëve.

Ky është aktiviteti i parë i Institutit Shqiptaro Amerikan në Malësi. Poashtu, më lejoni që të ju ftoj edhe në aktivitetin që do jetë nesër mbrëma në të njëtjin vend dhe në të njëjtën sallë ku do të promovohet libri i autorit Anton Lulgjuraj. Pa dashur ta zgjasë më tepër, e shpalli aktivitetin të hapur.

Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen. Në fund të aktivitetit kemi një koktel modest për të gjithë ju.

©2026 Albanian American Institute - All Rights Reserved.