250 vjet liri – pavarësi e SHBA-së. Më 4 korrik 1776, u ndezë një dritë që vazhdon të ndriçojë botën edhe sot.
Më 4 korrik, SHBA kremtojnë 250 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Ky kremtim simbolizon festën e lirisë, guximit, besimit dhe dinjitetit njerëzor. Dy shekuj e gjysmë më parë, një grup burrash vizionarë guxuan të shpallnin se liria nuk ishte privilegj dhe nuk falet, por një e drejtë e lindur e çdo njeriu. Nga një akt i jashtëzakonshëm lindi një komb që arriti të sfidojë botën dhe të bëhet një nga shtetet me më ndikim në historinë moderne. SHBA u bë fuqi ekonomike, ushtarake dhe politike. Të gjitha shtetet e botës janë nën ndikimin e saj në një mënyrë apo tjetër. SHBA në fund u bë edhe shtëpi e mijëra e mijëra shqiptarëve. Gjatë shek. XX, SHBA nëpërmjet politikës së vet ndikoi në krijimin e shtetit shqiptar, kurse në vitin 1999 u bë shteti që vuri në lëvizje politikën zyrtare që të krijonte shtetin e Kosovës dhe ta shpallte të pavaruar nga Serbia. Për këto gjëra shqiptarët janë mirënjohës përjetë SHBA-së. Qoftë e përjetshme fryma e lirisë. Qoftë i palëkundur besimi në demokraci. Urime 4 korrikun, ditën e shenjtë dhe të bekuar të Shteteve të Bashkuara. Zoti e bekoftë Amerikën dhe shqiptarët.