Loading...

Justina Shiroka – Pula, Presidentja e re e Kosovës

Me 81 vota PRO, Kuvendi i Kosovës, pas një seance të jashtëzakonshme, ka zgjedhur Presidenten e re të Republikës zonjën Justina Shiroka-Pula.
Presidentja znj. Justina Shiroka – Pula, me profesion është ekonomiste dhe ka qenë edhe akademike, por ka ushtruar edhe funksione politike dhe institucionale.
Shiroka-Pula në vitin 2025 është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që udhëheq këtë institucion, të themeluar në vitin 1975.
Ajo shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i ka përfunduar në vitin 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit.
Shiroka-Pula ka kryer doktoraturën në Universitetin e Prishtinës me tezën e doktoratës me titull “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka filluar punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik. Gjithashtu, ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete të ndryshme ndërkombëtare.
Në politikë, ajo ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011. Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

©2026 Albanian American Institute - All Rights Reserved.