Loading...

Rasti i Mark Junçaj është frymëzim për brezat

Të nderuar qytetarë të Malësisë, sapo kemi marrë lajmin që pritej nga ana jonë, që tani më, ish drejtori Sehad Lulanaj jep dorëheqjen nga pozita e tij, ndërsa profesori Mark Junçaj kthehet në pozitën e mësimdhënësit. Situata ishte shqetësuese kur shihja nxënësit në protestë. Edhe më shqetësues ishte fakti që po përgatiteshin për protesta të radhës, ndërkohë që drejtori bënte “sehir” e mendonte se me veprimet e tij, të dukshme tani kundër ligjore, mundohej të shtypte edhe integritetin dhe dinjitetin e njeriut.

Instituti Shqiptaro-Amerikan, e ka përcjellë nga çasti i parë rastin në fjalë. Kemi bërë deklarata dhe kemi dërguar shkresa në adresa të ndryshme që të mund të shikonin se çfarë ndodhte në një institucion që ka tagrin të edukojë breza të tërë me dije dhe kulturë, e që për fat të keq, ishte kthyer në një institucion që politika kishte futur hundën e vet dhe njerëzit me integritet dhe ta pa bindur ndaj politikës, tentonte përmes presioneve të ndryshme t’i shtypte dalë-ngadalë.

Është shqetësues fakti që politika zyrtare, nga përfaqësues shqiptarë, në nivelet më të larta, lëshohen kaq poshtë dhe bëjnë deklarata komike në lidhje me rastin Mark Junçaj sikur të ishim në një shtet diktatorial ku “perandori” apo “sulltani” me shkop magjik i zgjidhin problemet e skllavëve të vet. Kjo është absolutisht e pa pranueshme dhe e plotësisht e dënueshme. Kjo bie ndesh me të drejtat universale të njeriut. Nuk mund të jetohet me frikë. Nuk mund të punohet me frikë. Nuk ka të ardhme ajo shoqëri që lind, rritet dhe zhvillohet me frikë. Ajo kohë ka kaluar dhe ato mbeturina politike që flasin me gjuhën e “të fortit”, edhe kur janë në kundërshtim të hapur me ligjin, duhet të dënohen dhe në një shoqëri demokratike, edhe të largohen nga politika përgjithmonë në shenjtë të treguesit se interesi shoqëror prevalon mbi interesin personal.

Fjali si: “nuk ka humbës as fitues; jemi këtu të zgjedhim problemin; deri në mbrëmje do ju japim lajmin; etj etj si këto, janë deklarata tipike diktatorësh që pretendojnë se kanë kontrollin absolut të Malësisë dhe se Malësia është shtëpia e tyre private me të cilën mund të bëjnë çfarë të duan. Por, kjo s’ka për të ndodhë.

Të kthehemi pak tek situata konkrete. Rasti i drejtorit Lulanaj dhe profesorit Junçaj është çështje direkte e institucionit më të lartë në vend që merret me arsimin e që është Ministria e Arsimit e Malit të Zi dhe jo e përfaqësuesëve politik shqiptar të cilët vetë i kanë vendosur këta injorant në pozicione të larta drejtuese të institucioneve. Nëse Drejtori Lulanaj është i bindur që veproi drejt, ai nuk kishte asnjë arsye që sot të deklaronte dorëheqjen përmes një përfaqësuesi të lartë politik. Kjo tregoi që drejtori ishte subjekt politik, i vendosur nga politika dhe që sot politika e dënoi.

A ju kujtohet para pak kohësh “fshesa (pshisa)” të cilën përfaqësuesi i lartë politik i Malësisë e nxjerrte si “mjet” kundër atyre që mendojnë ndryshe. Sot tregoi me rastin e drejtorit që për të shpëtuar veten, ai i fshinë të gjithë bashkëpuntorët e tij në rast nevoje. Dhe ajo fshesë nuk ishte vetëm për kundërshtarët, por edhe për më besnikët e tij! Kjo është këmbanë alarmi. Malësia nuk e meriton këtë lloj trajtimi degradues dhe poshtërues. Lavdia e Malësisë qëndron e skalitur në çdo gur të sajë dhe çdo pëllëmb të kësaj toke. Para Malësisë, gjatë historisë, janë dorëzuar pa kushte kundërshtarët e saj. Prandaj, mos nxitoni se do ju vijë edhe ju dita që do pendoheni për veprimet tuaja, por që do jetë vonë.

Tani që politika vendosi që të këshillojë drejtorin kukull të japë dorëheqjen, dhe në fund drejtori u bind. Kjo tregon se këtu ka humbës dhe fitues. Këtu drejtori është shkaktari i problemit dhe se ata që i qëndruan pas, janë pikërisht ata që e vendosën dhe sot ia hapën edhe gropën. Ata janë humbësit së bashku me drejtorin.

Instituti Shqiptaro-Amerikan kërkon që:

1. Mark Junçaj të kthehet në punë pa kushte;

2. Të ngritet padi penale ndaj drejtorit Lulanaj për shpërdorim detyre dhe shkelje flagrante të ligjit;

3. z. Sehad Lulanaj për veprimet e tilla, nuk ka më vend në institucionin e gjimnazit të Tuzit, sepse ka arsye të mendohet që nëse kthehet në vend të punës, mund të hakmerret ndaj nxënësave që kanë protestuar kundër tij. Prandaj, ai nuk ka më vend në gjimnaz;

4. Inkurajojmë nxënësit dhe pedagogët e tjerë që hapur të flasin, të ngrisin zërin, për çdo problem që kanë patur në këtë institucion arsimorë dhe edukativ në mënyrë që mos të përsëriten më raste të tilla;

A thua vërtetë se vetëm Sehadi paska patur vuajtje për të cilat deklaron përfaqësuesi i lartë politik që mendon se e ka Malësinë private? Po ku janë vuajtjet e viktimës që u përjashtua pa asnjë arsye? Në mos ai, familja e tij a pati vuajtje, lotë, presion psiqik, bullizëm, nënçmim, torturë psiqike? Vetëm drejtori që e përjashtoi dhe ai që i paska dhënë urdhër të përjashtohet (politikani diktator), paskan patur trauma, stres, vuajtje psiqike, orë të tëra pa gjumë?! Në tërë botën ku sundon drejtësia urdhëruesi i krimit nuk mund të quhet viktimë.

Ne do jemi mbështetja juaj pa rezervë dhe jemi të gatshëm të parballemi me çdo person (fizik apo juridik) që përllosë nxënësit, rininë, qytetarët dhe Malësinë. Rroftë Malësia me rininë e saj.

Me nderime dhe respekt

Kolë Ivanaj

Koordinator i Institutit Shqiptaro-Amerikan

©2026 Albanian American Institute - All Rights Reserved.